Sot ka përfunduar edicioni i 14-të i festivalit “Green Fest” në Mitrovicë.

Ky festival brenda pesë ditëve solli programe rekreative dhe artistë e grupe muzikore të njohura shqiptare, shkruan Telegrafi.

Përgjatë këtij edicioni përformuan artistët nga Shqipëria, Alban Skenderaj dhe Vlashent Sata, grupet si “Don’t listen to your neighbors” dhe “Cicërimat buzë Ibrit”, artistë nga Kosova si Shpat Deda dhe “Lloch”-i.

U organizuan shumë aktivitete si kayak n’Ibër, pilates, yoga, hiking e çiklizëm. Po ashtu u zhvilluan edhe “Green Talks” me këto tema: “Gjendja e lumenjve në Mitrovicë”, “Potenciali i hapësirave publike afër lumenjve”, “Lumenjtë e vdekur të Kosovës” dhe “Ndikimi i shkarkimeve industriale në lumenj”.

Në natën përmbyllëse të festivalit përformoi artisti Shpat Deda, transmeton Telegrafi.

Kujtojmë që tema e këtij edicioni ishte “Lum Na” që në mënyrë figurative adreson gjendjen e lumenjve në Kosovë.

Drejtori i “Green Fest”, njëkohësisht dhe drejtor i organizatës kulturore “7 Arte”, Lulzim Hoti, në një prononcim për Telegrafin kishte thënë se kjo temë është përzgjedhur për të tërhequr vëmendjen ndaj ndotjes së lumenjve nga mbetjet industriale e bujqësore, mostrajtimi i ujërave të zeza dhe sjelljet e pahijshme të qytetarëve ndaj lumenjve.

“Me një fjalë, “lum na” se çfarë jemi duke i bërë natyrës dhe lumenjve tanë”, kishte thënë Hoti. /Telegrafi/

The post Përfundon me sukses edicioni i 14-të i festivalit “Green Fest” në Mitrovicë appeared first on Telegrafi.