Një serb u ndalua në Pejë pasi këndoi këngë nacionaliste, Lista Serbe fillon propagandën

Një serb është arrestuar sot në Gorazhdec të Pejës, pasi që sipas Policisë së Kosovës kishte kënduar këngë që nxisin urrejtje ndëretnike.

Policia Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se më datë 12.08.2024 disa persona këndonin kёngё me përmbajtje qё nxisin përçarje, mos durim dhe urrejtje ndëretnike me zë tё lartё, konsumonin alkool dhe thyenin shishe.

“Pas njё pune intensive nga zyrtaret Policor, me datё 18.08.2024 ёshtё arritur tё identifikohet dhe arrestohet njё nga tё dyshuarit për kёtё vepër penale, pas intervistimit nga hetuesit, i dyshuari me vendim tё prokurorit tё shtetit ёshtё ndaluar pёr 48- orё”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Lista Serbe menjëherë ka shfrytëzuar edhe këtë rast që të bëj propagandë duke thënë se ky arrestim shkakton indinjatë tek serbët në Kosovë.

“Arrestimi dhe caktimi i paraburgimit për serbin Lluka Zllatiçanin, nga Gorazhdeci, për shkak se “ka kënduar këngë” shkakton indinjatë tek serbët në mbarë Kosovën, veçanërisht për shkak se Policia e Kosovës nuk është aq efikase dhe profesionale për dhjetëra raportime kur sulmohen serbët, pronat e tyre apo të Kishës Ortodokse Serbe”, ka shkruar Lista Serbe.

Lista Serbe përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ““Regjimi i Albin Kurtit po bën gjithçka që serbët ta mbyllin gojën ose të zhduken nga këto zona dhe për këtë përdorin institucionet me të cilat menaxhojnë. Të njëjtat institucione që arrestojnë serbët për këngët e tyre ende nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjen se kush është përgjegjës për vrasjen brutale dhe plagosjen e fëmijëve serbë në Gorazhdec”.

Ata kanë kërkuar që Zllataçanit t’i jepet e drejta për t’u mbrojtur nga liria dhe kërkon nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje, siç thekson, “akuzave të montuara politikisht”.

“Duke qenë se zoti Zllatiçanin është familjar, i cili asnjëherë nuk është larguar nga Gorazhdeci i tij, kërkojmë që menjëherë t’i jepet e drejta për t’u mbrojtur nga liria, sepse është e turpshme që ai të ndahet nga familja për shkak të këndimit të këngëve. Ne gjithashtu kërkojmë që përfaqësuesit ndërkombëtarë t’i kushtojnë më shumë vëmendje “akuzave të montuara politikisht”, veçanërisht pasi jemi në prag të zgjedhjeve dhe regjimi në Prishtinë, në mungesë të suksesit në çdo sferë të shoqërisë, do të kompensojë rejtingun e tij duke keqtrajtuar serbët.” përfundon kumtesa e Listë Serbe. /Lajmi.net/