Kurti takohet me mërgatën në SHBA: Ata luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po qëndron në Çikago të SHBA-ve, ku edhe është takuar me komunitetin shqiptar e mërgatën tonë atje.

Në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit, thuhet se ai e prezantoi diasporën tonë atje me punët e realizuara të Qeverisë përgjatë këtij mandati siç është dyfishimii i eksporteve vendore dhe investimeve të huaja, forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe objektivat të mëtejme për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës.

ZKM ka thënë se “ndër to, u veçua vëmendja në sektorë si teknologjia e informacionit, por edhe sektori i energjisë dhe tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme. U përmendën bursat për gratë dhe vajzat që studiojnë në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë); por edhe ankandi i parë i zhvilluar në vend për ndërtimin e centralit solar prej 100 megavatëve, në të cilin doli fitues një konzorcium me kompani nga Zvicra e Gjermania dhe diaspora jonë”.

Kryeministri Kurti theksoi se progresi demokratik dhe ekonomik që ka njohur vendi ynë ka ndikuar në kthimin e Kosovës në një vend tërheqës për sjelljen e investimeve, e ku dhe diaspora jonë ka më shumë mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit. Duke i falënderuar për takimin, bisedën dhe idetë e shkëmbyera, kryeministri Kurti theksoi se mërgata luan një rol të rëndësishëm në planet tona për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.