Kryetari i Mitrovicës dhe njëkohësisht kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka shkruar për ish-partiakun e tij dhe kryeministrin e parë të pasluftës, Bajram Rexhepin.

Hamza tha se Bajrami ka qenë figurë unifikuese e politikës në Kosovë.

“Kosova dhe Mitrovica, 7 vjet më parë, mbetën pa njeriun e popullit, mjekun e luftës, kryeministrin e parë të pasluftës, Bajram Rexhepin.

Sot, në përvjetorin e shkuarjes së tij në amshim, e kujtojmë si figurë unifikuese të politikës në Kosovë. Ai ishte i pandalshëm në angazhimin e tij me dekada të tëra për fuqizimin e shtetit tonë.

Si mjek e humanist, si kryeministër e ministër i Qeverisë së Kosovës, si kryetar e qytetar i Mitrovicës, si mik e bashkëpunëtor, Bajram Rexhepi ishte gjithnjë i dëshmuar.”- shkroi Hamza.

Bajram Rexhepi u nda nga jeta më 21 gusht të vitit 2017, ai kishte qenë në koma pas sulmeve të pësuara në tru. /Lajmi.net/