Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka reaguar ndaj drejtorit të televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, pasi ky i fundit ka përfshirë dy institucione të sigurisë në një lajm nga “Slobodna Bosna”, kundër mediave në Kosovë.
Për këtë Berisha përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se si kryetar i komisionit për siguri është duke i përcjellur me shqetësim raportimet e drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Rilind Gërvalla.
“Përdorimi i institucioneve të sigurisë kundër mediave në vend, është i papranueshëm dhe nuk ndodh në asnjë vend demokratik”, ka shkruar Berisha.
Ai ndër të tjera ka thënë se si parti në kuvend e si komision do të angazhohen për të zbuluar të vërtetën se pse u përfshinë institucionet e sigurisë në këtë rast.
“Ne zotohemi se si parti në Kuvend e si Komision, do të angazhohemi për të zbuluar se cila është e vërteta në lidhje me përfshirjen e institucioneve të sigurisë në këtë rast”, ka përfunduar Berisha. /Lajmi.net/