Pas publikimit të lajmit të “Slobodna Bosna”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), kundër dy mediumeve në Kosovë ka reaguar edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se zhvillimet e fundit në bordin e RTK-së janë shqetësuese.
Sipas tij tendenca për përdorim të mediumit publik kundër gazetarisë kritike duhet të marrë përgjigje sipas kushtetutës dhe ligjit.
“Është e qartë se Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nuk kanë as fuqi dhe as vullnet për tu marrë me situatën e krijuar. Është obligim shtetëror i Kuvendit të Kosovës të ndërpresë degradimin e mediumit publik”, ka shkruar Hoti.
Ai mes tjerash ka kërkuar nga opozita që ndërmarrin veprime kushtetuese e ligjore, për të ndërprerë udhëheqjen e mediumit publik, për të cilën sipas tij janë “komisarët politik të Kurtit”.
“Komisionet përkatëse Parlamentare janë vonuar që të ftojnë për raportim Bordin bashkë me menaxhmentin e RTK-së dhe Drejtorin e AKI-së, si hap i parë në veprimet që duhet të ndërmerren”, ka përfunduar Hoti. /Lajmi.net/