Dugolli i reagon Haradinaj: Nuk po e thua të vërtetën, në ato burgje janë liruar shumë të burgosur politik, ka nga AAK që e dinë këtë fakt

Deputeti i kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka thënë se deklarata e Ramush Haradinaj për lirimin e kryeministrit Kurti nga burgjet serbe është një gënjeshtër e “kulluar”.

Dugolli ka thënë se Haradinaj nuk po e tregon të vërtetën pasi siç thotë ai qindra të burgosur politik që mbaheshin në burgjet serbe janë liruar.

“Duke qenë se edhe vetë kam qenë peng i luftës dhe i burgosur politik konfirmoj me përgjegjësi të plotë morale e ligjore se jo vetëm z.Kurti, por janë liruar qindra të burgosur politik që mbaheshin pengje në burgjet serbe, pas presionit të madh publik e diplomatik ndërkombëtar ku si rrjedhojë parlamenti serb u detyruar të miraton ligjin për amnisti si formë për të përmbushur një kërkesë të drejtë ndërkombëtare kundrejt të burgosurve shqiptar”, ka thënë Dugolli.

Ai ka thënë se ka qenë edhe vetë i burgosur në burgjet serbe ku në atë process është liruar edhe ai.

“ Në atë proces jam liruar edhe unë sikurse qindra të burgosur (ka në AAK ish të burgosur që e dinë këtë fakt), ashtu siç është liruar edhe z.Kurti”.

“Prandaj, është mirë qe z.Haradinaj të kërkon falje për këtë gënjeshtër të paskrupullt”, ka shkruar Dugolli në profilin e tij në Facebook. /Lajmi.net/