Skandal në zemër të Tiranës: Gropat e rrugëve “shkatërrojnë” makinat e qytetarëve!

Një qytetar ka denoncuar dëmin e madh që gropat dhe çarjet në rrugët e Tiranës po u shkaktojnë automjeteve. Ai ndau shqetësimin e tij për një rrugë pranë Drejtorisë së Policisë në qendër të kryeqytetit, e cila prej më shumë se një viti është lënë në një gjendje të tmerrshme, duke u bërë makth për shoferët.

Shoferët tashmë nuk përballen vetëm me trafikun e bllokuar, por edhe me indiferencën totale të autoriteteve për të riparuar dëmet në rrugët kryesore të kryeqytetit. Një çarje e thellë dhe e rrezikshme në rrugën e përmendur duket sikur ka “shpëtuar” nga çdo kontroll apo ndërhyrje, duke krijuar përshtypjen se strukturat përgjegjëse thjesht nuk ekzistojnë.

Qytetari i irrituar shprehet:
“Përshëndetje , dua të ndaj një shqetësim të madh. Po na prishen makinat me këto rrugë skandaloze në Tiranë! Në zonën pranë Drejtorisë së Policisë, rruga është lënë në këtë gjendje për më shumë se një vit. A ekziston një strukturë që kontrollon rrugët? Apo i shikojnë nga droni dhe nuk e ndjejnë këtë katastrofë që po ndodh në terren? Makina tundet sikur të jesh në rrugë mali! Është absurde.”

Ai shton se dëmet nga këto rrugë nuk ndalen vetëm tek amortizatorët dhe gomat e makinave, por shkojnë deri në shkatërrimin e pjesëve të tjera të rëndësishme.

“Këto rrugë po na bëjnë makinat copa. Amortizatorët, gomat, gjithçka po prishet. Mjafton të shikosh gjendjen skandaloze të rrugëve dhe kupton menjëherë sa të larta janë kostot për ne shoferët!”

Situata, sipas tij, është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse. Deri atëherë, qytetarët do të vazhdojnë të përballen me dëme të rënda dhe mungesë të plotë përgjegjshmërie nga autoritetet.

Më poshtë mund të gjeni linkun e lajmit në gjuhën anglisht.
Scandal in the Heart of Tirana: Potholes Destroying Citizens’ Cars!
Gjithashtu mund të lexoni lajme rreth Politikes.
Librazhdi Press.